KALI I DRUNJTË




Luli kish dalë në rrugë. I kish hipur kalit të tij të drunjtë dhe bërtiste:

- Hopa, hopa! Vrapo!... Shpejt, shpejt! Kece. Hopa!...

Kali i drunjtë luhatej përpara e mbrapa. Luli i binte me një thuper dhe i thoshte:

- Shpejt, o kali im! Vrapo shpejt, se mbi ty është një trim!...

Kali luhatej edhe më shpejt.

Vrapo, vrapo!... Unë jam trim... A më kupton? Pse po vrëresh?! Vrapo më shpejt!...

Koka e kalit të drunjtë ulej poshtë e mandej ngrihej lart.

Luli donte të vraponte shumë shpejt. Prandaj, nga vrapi i madh, koka e kalit të drunjtë preku tokën. Atëherë Luli rrëshqiti nga kali dhe ra kryengulthi para tij.

Kali mbeti duke u luhatur.

Një kalimtar, posa e pa se Luli u rrëzua nga kali, vrapoi t'i ndihmojë. Mirëpo, Luli u ngrit shpejt dhe i tha kalimtarit: 

Unë jam trim... Edhe trimat e mëdhenj rrëzohen nganjëherë nga kali, por nuk qajnë...

Kalimtari vetëm buzëqeshi dhe vazhdoi rrugën.

Luli mori një spagë dhe lidhi bishtin e kalit të drunjttë për një gozhdë të ngulur në mur. I hipi prapë në shpinë dhe bërtiti:

- Hajde, vrapo tani!... Shpejt! Këce, kali im! Le të shohin njerëzit se nuk mund të më rrëzosh… Le të shohin të gjithë se jam trim... Hop, hop! Vrapo, fluturo, kali im!


Comments