Zogu që nuk deshi të hipë në aeroplan - QAMIL BATALLI

Visari luante në një kënd të rrugës. Befas, pranë tij zbriti një zog. Visari vrapoi kah ai. Zogu u frikësua. Deshi të fluturojë, por nuk mundi. Dikush ia kish plagosur krahun.

- O zog i mjerë, a po të dhemb shumë? - e pyeti Visari.

Zogu përpiqej të ikë, të fluturojë.

- Mos u frikëso, mos u frikëso - i tha prapë voglushi.

Zogu cicëronte dhimbshëm.

Visari u përkul dhe e kapi. Ia ledhatoi kokën e vocërr dhe i tha:

- Qetësohu. Tash ta sjell aeroplanin tim dbe fluturo me të. Unë kam një aeroplan të bukur në shtëpi.

Visari vrapoi t'ia sjellë aeroplanin. Zogu mbeti duke cicëruar.

Mbas pak kohe, Visari arriti me aeroplan. Zogu cicëronte me ankim. Krahu i vogël e i plagosur i dridhej si gjethi në erë.

Hip në aeroplanin tim - i tha Visari. Zogu nuk deshi të hipë.

Mos u frikëso. Hip në aeroplan! Ti nuk duhet të rrish në rrugë. Mund të të shkelë ndonjë send – vazhdonte voglushi.

Zogu donte të ikte, të mos i dëgjonte fjalët e voglushit.

Visari e kapi dhe e vuri mbi aeroplan.

Fluturo, fluturo, o aeroplan!... - bërtiti. Zogu u frikësua edhe më shumë. I rrahu krahët me mundim dhe fluturoi...

Mos ashtu! - ia priti Visari. -Do të rrëzohesh! Zog! O zog!...

Zogu vazhdonte të cicëronte dhimbshëm.

Visari e shikonte me keqardhje. I thoshte nganjëherë:

-Eja, merre aeroplanin tim... Po ta fal... Mos u frikëso! Eja, zog!

Zogu nuk donte të zbriste.

Nuk kaloi shumë kohë dhe në atë kulm arritën disa zogj. Ata filluan t'i ndihmojnë zogut me krah të plagosur. Me të sbpejtë i sollën edhe ushqim…

“Sa çudi”!, mendoi Visari. “Thuajse këta që erdhën janë mjekët e zogjve”...

Shikoi edhe një copë herë zogun e vogeël që nuk deshi të hipë në aeroplanin e tij dhe një gaz i papritur, i këndshëm, i shpërtheu në buzë...

Comments